
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë takimit me përfaqësues të kësaj partie në Vlorë tha se partia do të hapet, për të sjellë ndryshimin që vlonjatëve ua kanë premtuar, por nuk ua kanë dhënë kurrë. Meta tha se Partisë së Lirisë i duhet gjithëpërfshirje dhe riorganizim.
E di që keni pasur shumë pabesi, por gjërat do ndryshojnë totalisht, dhe unë kam një detyrim të fortë ndaj Vlorës, dhe do jem vazhdimisht këtu, do jetë lidhje organike, e besueshme sepse e di që vlonjatët kanë disa cilësi të veçanta, dhe kanë çështje kryesore dinjitetin.
Si mundet një shesh që u bë 100 e ca vite më parë, pa folur me njeri ta tjetërsosh? Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me probleme të skizofrenisë, është e qëllimshme të tjetërsohet gjithçka, identitetit, historisë, dhe njerëzit të bëhen materialistë.
Kjo është rruga e shkatërrimit të një kombi, e zhdukjes së identitetit dhe vlerave për të cilat kanë luftuar të parët tanë, por është dhe e grabitjes, porti i Durrësit grabitet, i marrin këta, si puna e inceneratorëve.
Ajo që na duhet në Vlorë është një organizim shumë më i mirë, më gjithëpërfshirës, do ketë edhe prurje të reja, dhe heqja socialiste është pozitive në kuptimin e hapjes. Kryesorja për ne, që dallojmë nga të tjerët është referendumi.



