
Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj po zhvillon një vizitë në Britaninë e Madhe, ku thotë se ka marrë premtim për mbështetje konkrete për operacionin “Forca e Ligjit” dhe për Bashkëpunim për operacione dypalëshe.
“Në Londër, në vendin e një prej Policive më të mira në botë. Një ditë intensive në Metropolitan Police në Neë Scotland Yard dhe Agjencinë Kombëtare të Krimit”, shkroi ministri Xhafaj në rrjetin social "Twitter".
Xhafaj tha se përvoja e shkëlqyer britanike është model për Shqipërinë në procesin e Vettingut në polici.
“Modeli për ne – përvoja e shkëlqyer britanike në procesin e Vetting-ut të Policisë. Premtim për mbështetje konkrete për operacionin “Forca e Ligjit”. Bashkëpunim për operacione dypalëshe”, tha Xhafaj.
Gjatë vizitës së tij, Ministri Xhafaj zhvilloi takime me zyrtarë të lartë britanikë, mes tyre edhe Sekretaren e Brendshme të Britanisë, Amber Rudd. Ministri shkruan se mori mbështetje nga Rudd, përmes një axhende intensive bashkëpunimi mes ministrive dhe policive të dy vendeve.
“Sapo përfundova një takim shumë frytdhënës me Sekretaren e Brendshme të Britanisë zonjën Amber Rudd. Vlerësim dhe besim për vizionin, lidershipin dhe programin ambicioz të MB dhe veçanërisht për Operacionin “Forca e Ligjit”. Premtim për mbështetje konkrete nga ana e Sekretares së Brendshme Rudd, përmes një axhende intensive bashkëpunimi mes ministrive dhe policive të dy vendeve tona.”, shkruajti Xhafaj në një tjetër postim në "Twitter".



