Duke komentuar rikthimin e Trump si President të SHBA-ve, kreu i PR Fatmir Mediu tha që Shqipëria ka humbur terren në raport me Uashingtonin, ndërkohë që Beogradi ka rritur lobingun në Kongres dhe administratën amerikane. Mediu vuri në dukje se Shqipëria duhet të ndryshojë kursin me SHBA-të që të kthehet ai partner që ka qenë, partner i besuar në rajonin e Ballkanit. Mediu vuri në dukje se Shqipëria duhet të koordinohet me vendet e tjera të NATO-s, dhe të mos luajë më një rol paternalist, por mbështetës me Kosovën.
“Ishte rikthimi i politikës amerikane nëpërmjet Trump te baballarët e SHBA-ve, që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë apo bënë Kushtetutën amerikane. Në këndvështrimin e objektivave politike mendoj që ka shumë gjëra të cilat mund të vlerësohen. Është shumë e rëndësishme që opozita të ndërtojë një marrëdhënie të qëndrueshme me administratën amerikane, por në mënyrë të veçantë me Kongresin dhe Senatin që priten të kontrollohen nga republikanët, duke e trajtuar çështjen në plan kombëtar, në interes të shqiptarëve, edhe në plan rajonal, në planin e sigurisë.
Ka edhe disa shenja që janë shqetësuese, sepse graviteti i politikës amerikane këto kohë ka qenë Serbia, edhe për arsye të njohura, për shkak të marrëdhënieve që ka me Rusinë dhe Kinën. Serbia bën veprimet e saj politike dhe diplomatike, ndërkohë që Shqipëria është e interesuar tek fotot, pa thelb nga pikëpamja e politikës kombëtare dhe rajonale. Shqipëria duhet të ndryshojë kursin me SHBA-të që të kthehet ai partner që ka qenë, partner i besuar në rajonin e Ballkanit”.
I pyetur mbi bisedën e fundit Trump-Vuçiç, dhe raportet e Beogradit me Uashingtonit, Mediu tha:
“Shqiptarët humbën terren me SHBA-të, dhe Serbia rriti lobingun ne Kongresin Amerikan dhe administratën amerikanë. Marrëdhëniet e ndërtuara duket që kanë arritur deri te presidenti i zgjedhur i SHBA-ve. Këto raporte mund të kenë ndikimet e tyre në administratën Trump. Është rasti i Bosnjës, Veriut të Kosovës dhe Mali i Zi. Graviteti i tyre është rritur dhe do të duhej të balancohej nga ne në një mënyrë të qenësishme. Ne si Tiranë kemi zhvilluar një marrëdhënie të qëndrueshme me Serbinë, duke bërë një politikë paternaliste me Kosovën, që është e dëmshme.
Duke qenë President atipik edhe administrata e tij ka qenë dhe do jetë atipike. Një nga strategët e angazhuar në fushatën e Trump Corey Lewandoski ka qenë lobist i Serbisë dhe Presidentit Vuçiç, dhe këto ndikojnë edhe në komunikim, edhe politikat, për nahihjen tonë. E rëndësishme për Trump është sa zgjerohet influenca ruse dhe kineze në Ballkan. Rruga për ta zgjeruar ka qenë gjithmonë Serbia. Nëse Rubio do ngelet si alternativë e Sekretarit të Shtetit do ndikojë pozitivisht. Ne duhet ta prezantojmë Shqipërinë si një vend që ka rol të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, për t’u koordinuar me vendet e tjera të NATO-s, dhe jo të luajë rol paternalist, por mbështetës me Kosovën”.
Pyetjes, a mund t’i hiqet non grata Berishës, Mediu iu përgjigj:
“Ajo është një gjë jashtëzakonisht e dëshirueshme, s’mund të them sa gjasa ka, por PD duhet të bëjë të gjitha tratativat për të sqaruar këtë raport. Opozita duhet të ndërtojë një proces të përbashkët dhe të bashkërenduar në raport me SHBA-të”.



