Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në, Zef Mazi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare pune në Holandë. Qëllimi i vizitës është njohja e autoriteteve shtetërore holandeze me përparimet që ka bërë vendi ynë që prej vendimit të Këshillit në mars 2020 që hapi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE.
Sipas njoftimit për shtyp, Mazi është takuar me drejtoren e Përgjithshme, Ministren për Evropën, Anita van den Ende, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës, me deputetë, përfaqësues të lartë të partive politike në parlamentin holandaz, si dhe me akademikë dhe drejtues të think-tanke-ve më influente në qarqet politike, qeverinë hollandeze, mediat dhe opinionin publik në Holandë.
Gjatë takimeve është theksuar angazhimi i plotë i qeverisë dhe i Shqipërisë për të vijuar pareshtur dhe me më shumë vendosmëri punën me rezultate në ecurinë e reformave. Këto do të çojnë në vendimin për mbajtjen e Konferencës së parë Nderqeveritare, brenda Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së.
Mazi ka kërkuar mbështetjen e Holandës për finalizmin e kuadrit negociues të Shqipërisë në Këshill dhe organizimin e Konferencës së parë Nderqeveritare, menjëherë pas saj.
Kryenegociatori Mazi theksoi pandryshueshmërinë e kursit euroatlantik të Shqipërisë, duke vënë në dukje se objektivi madhor i anëtarësimit në BE është vendim strategjik dhe politik, prioritar që gëzon mbështjetjen e gjerë të të gjithë spektrit të vendit.
Dy vitet e fundit, Holanda është shprehur skeptike për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë, në samitin e marsit të Komisionit Europian, Holanda ra dakord me hapjen e negociatave, me kushtin që Shqipëria të çojë përpara reformat që ka nisur.



