
Për Ilir Metën deklaratat e forta të bëra dy ditë më parë nga ish-Kryeministri dhe ish-kreu i PS-së Fatos Nano janë 'zero ngjarje'. Presidenti Meta refuzoi t'i përgjigjej interesimit të gazetarëve për një koment të tij në lidhje me akuzat që Nano i bëri në intervistën e mbrëmjes të së enjtes kur tha se 'te Presidenti aktual i vendit shoh 7 mëkatet e Biblës'.
"Zero koment për çështje të cilat nuk ekzistojnë, problem kryesor mbetet sot përballimi i pandemisë dhe mbështetje e gjithë personelit shëndetësor për përballimin e fluksit të të infektuarve", tha Meta nga Shkodra.
Më herët Nano e cilësoi Metën një njeri që i lë punët në mes dhe të vë stërkembëshat. Ai theksoi se Metës i ka dhënë mbështetjen më të madhe, por ai gjithmonë e kishte tradhtuar.
“Nuk kam asnjë raport sot. As fizik asgjë. Fare. Dhe nuk më mungon. Sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes time. Unë thashë nga ata që kam mbështetur, nuk është thashë se është bërë vetëm nga mbështetja ime. Është një nga përfituesit më të mëdhenj. Meta ka pasur gjithmonë planin B në mendje.
Ka qenë inaktiv, sikur nuk ekzistone në qeverinë e 2002-2005. Iku në 2003, nuk merrte pjesë në diskutime, ka folur vetëm njëherë kur blemë ambasadën tonë në Athinë. Plani B ishte ai paralajmërova që në fillim Ilirin, “Ti e ke zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkembëshat”. Jo e kam seriozisht këtë herë më tha.
Ky ka qenë plani B, që të ndërpriste punët e qeverisë në mes. Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm. Të 7 mëkateve të biblës, ligësia, grykësia…”, tha Nano.



