
Presidenti Ilir Meta ka ndarë një video të "Djelmnis të Dibrës" të cilët vizituan këtë të mërkurë në Institucionin e Presidentit të Republikës, ndërkohë që në Kuvend po votohej shkarkimi i tij.
Krahas videos, kreu i shtetit shkruan se nuk mund të mos e ndante këtë kënaqësi që përjetoi sot në prezantimin e parë të krijimit artistik, “Hymni i Djelmnis Dibrane”, të interpretuar nga Kastriot Tusha dhe Arif Vladi.
“Në çdo hymn, këngë, elegji dhe rapsodi, në vallet, në lojrat e larmishme dhe në kostumet popullore të Dibrës gjendet një thesar unik dhe i jashtëzakonshëm kulturor, ngjyrat e jetës dhe bukuritë natyrore të kësaj treve, me shpirt atdhetar dhe artistik të fuqishëm.
Nuk mund të mos ndaj me të gjithë ju, kënaqësinë që përjetova sot, prezantimin për herë të parë dhe pikërisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, të një krijimi artistik tepër të arrirë, “Hymni i Djelmnis Dibrane”, të interpretuar mjeshtërisht nga dy prej korifejve të këngës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi, që prezanton denjësisht gjithçka Dibra simbolizon për kombin shqiptar.
Duke ju uruar një natë të qetë ju ftoj ta shijoni këtë këngë kaq të bukur!”, shkruan Meta krahas videos.



