
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqatës të bimëve medicinale në Malësinë e Madhe, nga ku firmosën edhe marrëveshjen për mbështetjen që do të jap qeveria e dal nga vota e pas 25 prillit. Në bisedën që patën me Bashën, përfaqësuesit u shprehën se për 8 vite ky sektor vetëm është tallur duke ja humbur vlerat që ka për ekonominë.
Duke theksuar shkatërrimin që i është bërë në 8 vite sektorit më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, siç është ai i bujqësisë, Basha tha se qeveria e dal nga vota e 25 prillit këtë sektor e konsideron strategjik.
Ai tha se angazhimi i parë do të jetë një paketë subvencionesh prej 100 milionë euro si mbështetje e drejtpërdrejtë për kultivuesit, për fermerët dhe për blegtorët shqiptarë, në bazë prodhimit.
Heqja e taksës 240 lekë për karburantin, digjitalizimi i disbursimeve dhe zgjidhja me pronat, janë disa nga angazhimet e tjera që do ndërmerren. Ndërsa sa i përket sektorit të bimëve medicinale tha se do të ketë mbështetje të veçantë, ku për këtë firmosi dhe kontratën me përfaqësuesit e kësaj shoqate.
“Zgjidhja jonë është e qartë, është e zbatueshme dhe do të vihet në funksionim prej ditës së parë të qeverisë tonë që do të dalë me votë pas 25 prillit. Angazhimi ynë i parë është një paketë subvencionesh prej 100 milionë euro si mbështetje e drejtpërdrejtë për kultivuesit, për fermerët dhe për blegtorët shqiptarë. Në bazë prodhimit, në bazë sipërfaqes që kultivon më një sasi apo me një shumë monetare për çdo ton prodhimi që do të disbursohet përmes një mekanizmi të digjitalizuar që do të shmangë kontaktin korruptive midis zyrtarëve rajonalë, drejtorive përkatëse dhe fermerit shqiptar. 100 milionë euro në vit do të mundësojnë që fermeri shqiptar ta gëzojë frytin e djersës së vet”, shprehet Basha.



