
Menjëherë pas betimit të Arta Vorpsit te noterja, ka ardhur edhe reagimi i kësaj të fundit.
Noterja Miranda Xhemalçe, e cila bëri të mundur betimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, thotë se ka bërë vetëm detyrën e saj, duke verifikuar firmën e Vorpsit.
Xhemalçe thotë se deklarata nuk është hartuar në zyrën e saj, por Vorpsi ka shkuar me një të gatshme dhe ka kërkuar legalizimin e saj.
“Më ka paraqitur një deklaratë të hartuar jashtë zyrës time noteriale dhe më vjen me deklaratën si çdo qytetar tjetër dhe unë vetëm kam vërtetuar nënshkrimin e saj. E hodhi firmën në praninë time duke më vënë në dijeni për çfarë bëhet fjalë. Kam legalizuar vetëm nënshkrimin e Arta Vorpsit, kjo është detyra ime dhe unë nuk mund ta refuzoj. Mu paraqit me kartë identiteti, verifikova kartën në sistem dhe unë kam bërë vërtetimin e nënshkrimit të firmës së saj”, tha noterja Miranda Xhemalçe.
Ajo është shprehur se nuk mund të marrë atributet e presidentit apo personave të tjerë. Noterja tha se Vorpsi nuk vuri dorën mbi Kushtetutë, por firmosi emër dhe mbiemër në deklaratën e saj.



