
Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka folur në seancën e sotme plenare për marrëveshjen e bërë me Kanadanë në lidhje me pensionet e emigrantëve shqiptarë.
Majko tha se duhen lënë mënjanë batutat dhe duhet votuar. Në lidhje me marrëveshjen, Majko shtoi më tej, se kjo është një histori që na takon ne, kostot dhe vlerat do t’i fitojmë ne.
“Unë e mora fjalën për të bërë një koment për këtë marrëveshje me Kanadanë. Nuk janë marrëveshje të lehta, kanë kosto të madhe, por ajo që doja të nënvizoja… kanë një rëndësi sepse krijohen hapësira ligjore për mbrojtjen e emigrantëve tanë. Për sa i takon marrëveshjes, në fund fare kjo është një histori që na takon ne, kostot dhe vlerat do t’i fitojmë ne. Për ju është e rëndësishme që çfarëdolloj marrëveshjeje që do të diskutohet, jashtë kësaj salle, politika është matematikë do vijë në këtë sallë, duhet vota juaj, pa votën tuaj nuk ratifikojmë asgjë. Me mollë, pjeshkë, ngjala, hamburger me ça të doni. Zëvendësuesit në sport kanë bërë historinë, këtë nuk e kanë bërë as me batuta, as sharje, por akte dhe lojë të ndershme”, tha Majko.



