
Shkodranët organizuan paraditen e së shtunës një protestë kundër skemës së re që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për TVSH-në tek bizneset e vogla.
Protesta e mbështetur nga partia Demokratike, u tha se frikësoi kryeministrin Edi Rama, i cili anuloi një vizitë që kishte programuar për sot në qytetin e Shkodrës.
Por pas pretendimeve të selisë blu, ka reaguar zyra e shtypit e kryeministrisë që deklaron se kryeministri Rama nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar qytetin e Shkodrës sot.
"Kryeministri nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar Shkodrën sot dhe vizita e tij e supozuar, është shpikur nga Partia Demokratike për të nxitur një tension të kotë në luftën e dëshpëruar me pafuqinë e saj.
Sot kryeministri është në Vlorë për të marrë pjesë në takimin e planifikuar me rastin e 100-vjetorit të Shërbimit Stomatologjik në Vlorë, ku nëna e tij, Aneta Rama, do të nderohet nga Shoqata e Stomatologeve të Shqipërisë, si gruaja e parë në këtë shërbim" thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Por nuk vonoi shumë dhe PD doli me një deklaratë ku e quante Ramën frikacak dhe se kishte anuluar vizitën e bërë publike një ditë më parë nga mediat e kontrolluara prej tij.
Reagimi i PD-se: Edi Rama u fsheh si frikacak sot nga shkodranët, duke anulluar vizitën e bërë publike një ditë më parë nga mediat e kontrolluara prej tij.
I çekuilibruar psikologjisht, për shkak të protestave që po e ndjekin deri tek dera e shtëpisë, Edi Rama gënjeu sot publikisht shqiptarët, kur tha se nuk kishte në plan të shkonte në Shkodër, por në Vlorë.
Kryeministria e ka shpërndarë njoftimin për axhendën e Edi Ramës në Shkodër tek disa nga gazetarët që mbulojnë aktivitetin e Ramës, tek Partia Socialiste e Shkodrës dhe deputetët e saj.
PD u bën thirrje mediave të publikojnë mesazhet e shpërndara nga kryeministria, të jenë në lartësinë e misionit të tyre për të informuar publikun me vërtetësi dhe paanshmëri.
Propaganda bajate nuk e mbulon dot as frikën e Ramës as nga shqiptarët, as faktin se, në çoroditje e sipër nga protesta e shkodranëve, gazetarët e Vlorës u lajmëruan me urgjencë nga Bashkia për praninë e Ramës në ceremoni vetëm 10 minuta para nisjes së saj.



