Gjykata e Tiranës ka legalizuar Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar, e cila synon bashkimin fizik të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj lëvizjeje, Tahir Veliu. Në këtë mënyrë, me vendimin me numër nr. 5620, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës i ka hapur dritën jeshile aktivitetit politik të një partie, e cila kauzën kryesore e ka bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.
Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është bashkim vullnetar i individëve me kombësi shqiptare pa dallim feje, ideje, krahine, pikëpamjeje politike dhe shtrese shoqërore, të cilët i bashkon aspirata natyrale për çlirim dhe bashkim kombëtar. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar synim kryesor ka bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar – Shqipëri të Bashkuar, si qëllim përfundimtar për zgjidhjen në tërësi të çështjes kombëtare shqiptare sipas aktit juridik të 28 Nëntorit 1912.
Kryetari i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, Tahir Veliu, u shpreh se qëllimi kryesor i LSHB-së është çlirimi dhe bashkimi kombëtar dhe sipas statutit të LSHB-së ky qëllim nuk mund të ndryshohet kurrë, deri në realizimin e plotë të tij.
“Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar synon bashkimin e republikave të Kosovës dhe Shqipërisë, nëpërmjet referendumit demokratik dhe njësimin institucional e shtetëror me forma paqësore. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar synon bashkimin e trojeve shqiptare sot të pushtuara, në kufijtë natyror të saj me Shqipërinë, duke përdorur të gjitha metodat dhe mjetet demokratike për realizimin e aspiratës kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar”, theksoi Veliu./KosovaPress/



