
Pas një odiseje të gjatë që krijoi një përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë, Sandër Lleshaj do të jetë ministri i ri i Brendshëm i Shqipërisë.
Lleshaj është betuar si ministër i ri i Brendshëm, një ditë pas miratimit në Kuvend të dekretit të presidentit Ilir Meta.
Pas ekzekutimit të himnit, Lleshaj u betua përpara Kushtetutës dhe më pas firmosi.
Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, zëvendëskryeministrja Senida Mesi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Rruga deri te betimi i Lleshajt si ministër i Brendshëm, duke zëvendësuar kështu Fatmir Xhafajn, pas dorëheqjes së këtij të fundit, ishte shumë e gjatë.
Pak orë pas lirimit si ushtarak, Presidenti Meta të premten e shkuar dekretoi Sandër Lleshin ministër të Brendshëm.

Meta nuk e dekretoi kërkesën e parë të kryeministrit Rama për Sandër Lleshin si ministër, duke u shprehur se nuk kishte krijuar bindjen e plotë për këtë kandidaturë.
Kryeministri Rama e ridërgoi kërkesën për dekretim në Presidencë, pasi e emëroi Sandër Lleshin zv.ministër të Brendshëm. Pasi mori informacionet e duhura nga Ministria e Mbrojtjes për gjeneral Lleshin, Presidenti Meta e çdekretoi atë si ushtarak aktiv, duke treguar se kjo ishte pengesa kushtetuese që e kishte detyruar të mos e dekretonte ministër.
Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë votoi me 77 vota pro dekretin e Presidentit Meta, që emëron Sandër Lleshin ministër të Brendshëm.




