
Ministria e Jashtme e Kroacisë ka bërë thirrje për kujdes dhe ka paralajmëruar qytetarët e saj të shmangin udhëtimet në Serbi, pas një incidenti të ndodhur mbrëmë në Beograd, ku u arrestuan dhe u dëbuan të paktën 14 anëtarë të organizatave të shoqërisë civile.
Kroacia ka dërguar një notë proteste Serbisë dhe ka këshilluar shtetasit e saj të monitorojnë situatën dhe të mbledhin informacione të detajuara para se të udhëtojnë për në Serbi.
Notën e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Gordan Grliq Radman.
Tregoni kujdes, monitoroni situatën aktuale dhe merrni informacione më të detajuara para se të udhëtoni për shkak të veprimeve të regjistruara të papërshtatshme dhe të pabaza të autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj qytetarëve kroatë.
Ky incident ka të bëjë me pesë qytetarë kroatë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, që morën pjesë në punëtoritë e Erste Stiftung në Beograd. Ata kaluan një pjesë të natës në duar të policisë serbe dhe më pas u dëbuan nga Serbia. Ata u shoqëruan në polici, u morën në pyetje për orë të tëra dhe u detyruan të firmosin dokumente pa ditur përmbajtjen, që më vonë u zbuluan si fletë dëbimi për një vit për shkak të "sigurisë kombëtare".
Për këtë incident, 310 organizata nga e gjithë Evropa i dërguan një letër të hapur institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, duke kërkuar që të merren seriozisht këto shkelje të të drejtave të njeriut nga qeveria serbe. Ata kërkuan përdorimin e mjeteve politike dhe institucionale për të mbajtur qeverinë serbe përgjegjëse për veprimet e saj ndaj qytetarëve të huaj dhe serbëve, të cilët janë viktima të shkeljeve të të drejtave civile të dokumentuara nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Kroacia ka shprehur një protestë të fortë për trajtimin e pesë shtetasve kroatë dhe ka kërkuar një përgjigje nga autoritetet serbe lidhur me këtë çështje.



