Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, pas vizitës së shkurtër në Kosovë, ka mbërritur në Kosovë.
Ai tani bashkë me kryeministrin Albin Kurti kanë qëndruar në sallën “1 Tetori” ku janë duke u vaksinuar punëtorët shëndetësorë me vaksinën Pfizer, ndihmë nga Bashkimi Evropian.
Varhelyi me këtë rast tha se Kosova do të marrë 100 mijë vaksina nga Pfizeri, duke siguruar se në qershor do të vijë edhe kontingjenti tjetër e që do të mundësohet vaksinimi i të gjithë stafit shëndetësorë.
Ai shtoi se BE-ja është duke sjellë në tërë Ballkanin Perëndimor rreth 600.010 mijë vaksina.
“Ka qenë një detyrë e rëndë për ti marrë vaksinat por ja ku janë. Jemi duke sjellë rreth 600.010 mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do të pranoj gati 100 mijë vaksina nga Pfizer/Biontech nga partneri ynë më i besueshëm. Me këtë kontribut i tërë sektori shëndetësor do të mund të vaksinohet. Me dërgesën e parë dhe dërgesat që do të vijnë në qershor do të vaksinohen të gjithë personi shëndetësor. Ky është kontributi më i rëndësishëm që kemi mundur ta bëjmë për të filluar ta shënojmë fundin e pandemisë sepse pandemia do të përfundojë kur të vaksinohemi të gjithë”, ka thënë ai.
Komisioneri i BE-së më tej theksoi se kanë qëndruar afër Kosovës gjatë gjithë pandemisë.
“Kemi filluar që në mars të vitit të kaluar duke ofruar pajisje mjekësore, dhe për të shpëtuar ekonominë. I kemi ofruar ndihmë financiare që të luftoni pandeminë dhe tani kemi filluar me vaksina. Jam i lumtur që sot shoh të gjithë këta persona duke u vaksinuar. Kjo tregon që ne kujdesemi për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën”, u shpreh Varhelyi.

Nga ana e tij Kryeministri Albin Kurti, tha se po punohet çdo ditë në zvogëlimin e ndikimit të Covid-19.
Ai më tej ka shtuar se ndihma e BE-së me vaksina është dëshmi se rrugëtimin drejt unionit, përveç se i nevojshëm është i mbushur edhe me miq.
Madje ai edhe një herë është zotuar për vaksinimin e 60% të popullatës.
“Falënderoj Austrinë që ishte lehtësuese në këtë proces. E rifitojmë procesin e vaksinimit me qëllim që mos të ndalim deri e realizojmë premtimin tonë për vaksinimin e 60 për qind të popullatës. Ne jemi në rrugë të drejtë për përmbushjen e këtij qëllimi. Le të triumfojmë në këtë betejë së bashku”.
Varhelyi ka udhëtuar për në Ballkanin Perëndimor ku edhe po takohet me liderët e vendeve për të diskutuar lidhur me vaksinat e para Covid-19 të ndara dhe të financuara nga Bashkimi Evropian.



