
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike do japin llogari dhe do mbajnë përgjegjësi.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme ai shigjetoi të larguarit nga PD dhe që janë afruar me pushtetin.
Ai shtoi se pati të tjerë që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar një ditë, apo dhe nga ata që punuan për Partinë Socialiste.
Foltorja ka qëllimin e vet, një takim dhe debat të hapur pa filtra, para kamerave, me mbështetësit tanë. Ne aty regjistrojmë propozimet e tyre, shënojmë kritikat që ata bëjnë në mënyrë që të përmirësohemi. Por do të ishte jo e drejtë dhe jo reale, nëse do të pretendohej se me këtë foltore ne ezaurojmë debatin e domosdoshëm të brendshëm në parti, analizën e punës tonë. Ajo do të bëhet në çdo qelizë. Absolutisht ne nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por ne symbyllas nuk jemi.
Ju e patë vetë, mbaruan zgjedhjet, pati nga ata demokratë që kishin marrë dhe rrogën e deputetit të PD-së, të tjerë anëtarë kryesie, etj., etj., që shkruan, u punësuan, u bënë drejtora, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Pati të tjerë dhe këto më mirë se unë i dinë vetë strukturat, që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar një ditë. Pati të tjerë që shkuan me pushime në fushatë elektorale, apo që dhe punuan për PS-në. Natyrisht këta do të japin llogari, dhe do jenë strukturat që do përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre. Kjo është gjëja më normale. Do jenë strukturat ato të cilat do të bëjnë të gjitha propozimet, mendimet, kritikat.
Ne jemi parti e mendimit të hapur, nuk vdesin kurrë, sepse jemi parti e vlerave të lirisë. Kjo është e gjithë puna. Do të ketë diskutim, do të ketë me dhjetëra, qindra, qindra diskutime. Po të ja themi njëri-tjetrit gjërat, do japim shpjegime, do japim llogari, do mbajmë përgjegjësi. Pra kjo është e domosdoshme. Atyre që spekullojnë, nuk ndodhi në periudhën që ne po mbronim votën.
Mbrojtja e votës për ne ishte e një rëndësie jetike, jo vetëm për PD-në, për Shqipërinë. Ja ku është sot. Axhendë e parë në të gjitha forcat politike të spektrit të djathtë në Europë. 10 ditë më parë në Sao Paulo, në rend dite 4 ishin çështjet kryesore, njëra prej tyre ishte Shqipëria. Këto u arritën. Tani jemi në një fazë tjetër, në një fazë që ne do të përballemi me këtë të keqe.
Kemi këtë mbështetje, këto fakte, këto dokumente, kemi këto arritje në këtë fushë. Atëherë mbetet në guximin tonë dhe ne do ta tregojmë atë. Pra kjo është, janë gjëra të dukshme. Ka patur që ta dini ju, ka patur denoncime për ‘x’ apo ‘y’ që po punon kundra nesh, por fushata është fushatë. Në fushatë edhe mund të ndërmerreshin masa, sepse aktet më të rënda janë të punosh kundër në betejë, të shmangesh, të dezertosh. Por janë lënë që të bëhet analiza, kjo është.



