
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se parlamenti është transformuar në një mburojë dhe parzmore të vjedhjeve të papërmbajtura, të plaçkitjes së papërmbajtur të Edi Ramës dhe anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale.
Ai tha në dalje të seancës së sotme, se parlamenti përsëri mblidhet, diskuton gjithçka vetëm e vetëm që të shurdhojë, që të mbulojë grushtin e shtetit që ka kryer Edi Rama nëpërmjet tij, duke marrë pushtetin e drejtësisë, duke bllokuar prokurorinë dhe të drejtën kushtetuese, detyrimin e saj kushtetues për ngritjen e akuzave ndaj cilitdo që shkel ligjin.
Me këtë akt të pashembullt në historinë e vendit, dëshmon se jemi në kushte në të cilat qytetarët dhe vetëm qytetarët mund t’i japin përgjigjen më të merituar.
Është sot koha më shumë se kurrë 10 shkurti të shndërrohet në ditën e viganit, në ditën e uraganit të fuqishëm të lirisë, të shqiptarëve dhe të përmbysjes së këtij regjimi të urryer që nuk ndjek asnjë ligj, parim dhe as Kushtetutë.



