Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Presidenti Bajram Begaj kërkoi të tërheqë NATO-n në aferën e spostimit të Portit të Durrësit në Porto Romano.
Berisha foli për një shtet njëpartiak që është vënë në funksion të aferës 5 miliardë euro.
Porti i Durrësit është afera më e madhe korruptive në Europë sot. Shkon të paktën 5 miliardë euro. Dhe mobilizon të gjithë shtetin e tij njëpartiak në funksion të kësaj afere. E dëgjuat Presidentin e Republikës? Çfarë kuptuat nga vizita e tij në selinë e NATO-s? Kërkesën për të tërhequr NATO-n në aferën korruptive të spostimit të Portit të Durrësit në Porto Romano. Unë këtu i deklaroj NATO-s, se kjo parti që ka qenë promotori i anëtarësimit të vendit në NATO, është e gatshme që t’i ofrojë NATO-s, çdo lehtësi në vend. Por e fton të ketë kujdes nga kjo organizatë politike mafioze. Që po transferon portin me qëllimin e vetëm për të plaçkitur të paktën 5 miliard euro me projekte me konto offshore. Së fundmi, gjithçka në mbështetje të kandidatëve tanë të fitores. U kemi paraqitur kandidatë në mënyrën më transparente. Kudo që shkon, e kemi ballin e hapur. Por ata duan mbështetjen tuaj më të fuqishme çdo orë, çdo ditë që të ecim të sigurt drejt fitores.



