Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë online më zv.Presidentin e Komisionit Europian, njëkohësisht Komisioner për Mënyrën Europiane të jetesës, z. Margaritis Schinas. Biseda është përqendruar në shkëmbimin e pikëpamjeve mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, përpjekjeve që duhet të bëjë vendi për t’u anëtarësuar në Union dhe vizionin e kryeopozitarit mbi këtë proces.
Lideri i opozitës Basha ka theksuar se “pa integrimin europian të Shqipërisë nuk do të jemi në gjendje të sigurojmë standardet e jetesës” sdhe vlerësoi se arritjet kryesore për Shqipërinë janë shënuar në duke punuar së bashku me partnerët. Ai u shpreh i bindur se ai dhe ekipi i tij janë në gjendje ta realizojnë anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian.
Për kryedemokratin, integrim në BE do të thotë ndihmë për ekonominë që të dalë nga kriza, rritje pagash dhe investime publike. Prandaj, Basha u angazhua që “brenda 100 ditëve të para të qeverisë sime ta bëjmë të mundur hapjen e negociatave.”
Temë e bisedës ishte edhe pandemia dhe çështja e vaksinimit. Basha e konsideroi përparësi kryesore transparencën dhe bashkëpunimin me BE për të sjellë në Shqipëri vaksina të çertifikuara nga unioni.
Komisioneri Schinas u shpreh i kënaqur me përkushtimin e z. Basha ndaj Europës. Ai e vlerësoi si krejtësisht të mundur hapjen e negociatave pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe e nxiti z. Basha që të çojë përpara mesazhin e ringjalljes ekonomike. Schinas vlerësoi veçanërisht rolin e z. Basha në arritjet e mëparshme të vendit në fushën e integrimit europian. “Ju personalisht si ish-Ministër i Brendshëm, keni shumë arsye për t'u krenuar me atë që është bërë tashmë dhe natyrisht ky liberalizim i vizave nuk është një gjë e lehtë dhe nuk ishte e sigurtë. Ju e dini sa komplekse ishte dhe këshilla ime është të mos tregoheni shumë modestë në lidhje me të. Kjo është diçka që ju, si udhëheqës dhe si individ, duhet ta tregoni më shumë, si diçka në politikë që ka ndryshuar gjërat për mirë.”
Nga ana e tij kryetari Basha nënvizoi angazhimin e tij për të kthyer normalitetin në kulturën politike shqiptare. Këto zgjedhje, u shpreh ai, kanë të bëjnë më njerëzit, të ardhmen e tyre. Prandaj është e domosdoshme që të shkojmë tek njerëzit me propozime realiste, tha Basha.
“Ne propozojme një taksë të sheshtë prej 9%, barazinë para ligjit ku të gjithë trajtohen njësoj dhe jo ku një pjesë e njerëzve po gllabërojnë buxhetin, pronat , pasuritë publike të vendit dhe të gjithë të tjerët vuajnë. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me ecjen përpara drejt të ardhmes në BE ose për të vazhduar qëndrimin në vendnumëro si ne keto tetë vjet. Këto zgjedhje nuk jane një luftë personale midis meje dhe kundërshtarit tim. Por ato duhet të jenë të lira dhe të ndershëm siç kanë nënvizuar dhe vazhdojne të nënvizojnë çdo ditë komisioni dhe këshilli dhe partnerët tanë strategjikë të SHBA”, përfundoi z. Basha.



