Kryedemokrati Sali Berisha premtoi se me PD në pushtet paga e mësuesit në Shqipëri do jetë mbi mesataren.
Ai theksoi se ëndrra për një “Shqipëri madhështore” s’mund të realizohet pa arsim madhështor.
Berisha tha gjithashtu se do të 3-fishohet buxheti për arsimin dhe kërkimin shkencor, do të shtohen programe të tjera studimi
“Ëndërra e madhe e shqiptarëve për një ‘Shqipëria Madhështore’, nuk mund të realizohet pa një arsim madhështor. Pa transformimin e thellë të arsimit. ‘Shqipëria Madhështore’ nuk mund të jetë Shqipëria e njerëzve që numërojnë kafshatën.
Nuk mund të jetë Shqipëria e të sëmurëve që nuk blejnë dot ilaçet. Nuk mund të jetë Shqipëria e prindërve që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre. Jo. Të gjitha këto marrin fund në tre muajt e parë të qeverisjes.
Shqiptarë, 3 muajt të parë të qeverisjes që prodhon varfëri ekstreme nuk ka dhe nuk do të ketë. Paketa jonë është paketë asgjësuese për varfërinë ekstreme. ‘Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë.
Nuk ka mision më të madh, nuk ka mision më të rëndësishëm, më serioz se misioni i mësuesit. Ndaj dhe ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimit. Ne i rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesit dhe mësueses në Shqipëri.
Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri. Nëqoftëse rroga mesatare në Shqipëri do të jetë 1200 euro, e mësuesit do të jetë mbi mesataren. Për këtë ju garantoj unë miq. E pedagogut do të jetë qartësisht mbi mesataren. Pra do i rikthehemi me forcën më të madhe, trajtimit të merituar të mësuesit e mësueses”.



