
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me arrestimet e punonjësve të policisë të Pikës Kufitare në Morinë.
Sipas tij, arrestimet konfirmuan akuzat e PD-së “për korrupsionin e çdo segmenti të policisë së “rilindur” me militantë e patronazhistë të cilët e kanë kthyer këtë strukturë të shtetit në një sistem korrupsioni e kontrabande”.
Kjo qeveri e ka kthyer fatkeqësisht policinë në një shërbëtore të krimit dhe korrupsionit, duke e përdorur ashtu siç e përdori për 8 vite me radhë si argate në plantacionet e hashashit, ku punonjësit e policisë me uniformë shërbenin si roje, ngarkues e garantues të drogës së bandave kriminale”.
Alibeaj deklaroi se Partia Demokratike e ka denoncuar me zë e figurë shndërrimin e policisë së shtetit në një shtojcë të korrupsionit shtetëror dhe shërbyese të krimit dhe do të vazhdojë ta denoncojë këtë skemë kriminale.
Policia e Shtetit nuk është më shërbyese e qytetarit dhe garantuese e rendit e sigurisë, por thjesht një armë e qeverisë së korruptuar që tashmë është vendosur tërësisht në shërbim të korrupsionit qeveritar që ka kapur çdo pushtet e po varfëron gjithnjë e më shumë çdo shqiptar e Shqipërinë”.
Prokuroria e Posaçme dokumentoi 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë kufitare të Morinës, duke urdhëruar arrestimin e 31 personave. Ndërsa ka pezulluar tre të tjerë.
Mes tyre, i arrestuar është edhe drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Të gjithë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.



