Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur sot një vendim që konstaton se seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

Në aktgjykimin e publikuar për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës lidhur me kalimin e votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka vlerësuar se seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj deri më tani nuk janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata ka theksuar se afati 30 ditor është një kërkesë kushtetuese e paevitueshme dhe duhet të përmbushet me sukses nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Sa i përket kalimit të votimit në fshehtësi, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, duke zgjedhur mes opsioneve: "për", "kundër" ose "të abstenojnë".

Gjykata ka sqaruar se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, dhe mund të quhet e përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ajo rikujtoi gjithashtu se Kushtetuta parasheh që ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.

Në këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mirëbesuar ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionimin normal të institucioneve. Ajo sqaroi se e drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si një mjet për të bllokuar proceset institucionale.

Gjykata Kushtetuese bëri të ditur gjithashtu se për shkak të mungesës së konstituimit të plotë, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kapacitetin juridik për të marrë vendime, siç është ai për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë.

Në përfundim, Gjykata konstaton se është detyrë kushtetuese e të gjithë deputetëve të zgjedhur që të mundësojnë konstituimin e Kuvendit në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. 

Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje.

AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy