
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, thotë se pas dosjes “339”, një tjetër dosje do të vërë në vështirësi kryeministrin Rama. Pas një konsultimi me aleatët në lidhje me protestën e parashikuar për nesër në orën 09:00 para Parlamentit, Basha tha se politikanët e përfshirë me kokat e krimit do të shkojnë para drejtësisë.
“Sot makineria e Ramës është shkërmoqur. Policia kërkon t’u mohojë qytetarëve të drejtën për të protestuar. Ne do të vazhdojmë aksionin kundër këtij parlamenti ilegjitim, që është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar. Rama, dosja 339 është makthi yt, ti e di fare mirë se përtej minutave që janë botuar, uroj ta dish se ca përmban edhe dosja 184. Këto do zbardhen, politikanët e përfshirë me kokat e krimit të organizuar do të shkojnë para drejtësisë. Mesazhi është i qartë se kështu nuk do vazhdohet më dhe ne do qëndrojmë në krah të qytetarëve”, tha Basha.
Dosja ‘339’, detaje të së cilës u publikuan disa javë më parë nga Zëri i Amerikës, hedh dyshime për përfshirjen e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, në vjedhje votash
Ndërsa dosja tjetqë që mban numrin ‘184’, sipas Bashës, ka të bëjë me një tjetër skandal të qeverisë, në Dibër.



