Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se Sali Berisha nuk duhet të kandidojë për kryetar të Partia Demokratike, siç pritet të ndodhë pas dy muajsh, por të qëndrojë në rolin e kryetarit të nderit.
Ai u tregua gjithashtu skeptik për mundësinë e bashkimit të opozitës në kushtet aktuale. Fevziu theksoi se opozita duhet të ndërmarrë disa hapa të qartë për t’u ristrukturuar dhe për të fituar besueshmëri.
Opozita duhet të bëjë përpjekje për të ristrukturuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët. E dyta, opozita duhet të konsolidojë marrëdhëniet me drejtësinë dhe SPAK. I mirë apo i keq duhet t’i qëndrosh kësaj ideje. E treta duhet të ketë hapa konkretë. E katërta sa është bindëse opozita në publik.
I pyetur nëse Berisha është pengesë për PD-në dhe opozitën, Fevziu theksoi se përgjegjësia kryesore i takon liderit historik të demokratëve.
Përgjegjësia i shkon Berishës. PD ka një zinxhir gabimesh. Grupi parlamentar i PD-së i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nuk përfaqëson shoqërinë shqiptare. Një largim i menjëhershëm i Berishës nuk zgjidh asgjë. Duhet të qëndrojë kryetar nderi i partisë. Berisha duhet të zgjedhë një kandidat për kryeministër.



