Analisti Denis Dyrnjaja theksoi edhe njëherë sot në edicionin e lajmeve në MCN TV se tregu informal i lojërave të fatit po bën namin duke pastruar paranë e zezë. Dyrnjaja tha se qendra e këtij tregu informal është në katin e 13-të të Sky Twoer-it. Analisti po ashtu theksoi se kryeministri Rama duhet të distancohet nga nomenklatura e qokave, pasi në të kundërt do groposet prej tyre.
“Vetëm kryeministri s’e di që tregu informal i lojërave të fatit, që gati-gati do t’i shkojë afër Kryeministrisë e ka qendrën në katin e 13-të të Sky Tower-it. Po të dojë ta hetojë Prokuroria, do shkojë aty. Besoj që do ndodhi. E ka shumë afër.
Po bëhet nami me paranë e zezë në tregun informal të lojërave të fatit.Kapet një objekt me 6 kompjuterë lojërash fati ndërkohë që gjithë Shqipëria është "det" me to. Si futen, nga futen dhe kush i fut këto makinat të lojërave të fatit?!
Ku gjenerohen, kush i regjistron sa para futen. Është një treg totalisht që pastron paranë e zezë.Cili është Roli i Agjencisë së Inteligjencës financiare.
Rol totalisht fiktiv i saj. Zero funksionalitet, zero goditje, ku është Policia që duhet ta godiste në front të gjerë të gjithë tregun informal të lojërave të fatit, që gjeneron nga 1,5 deri në 3 miliardë euro, që janë para kriminale, financohen vrasje, financohet trafik droge dhe kulla.
Kjo s’është Shqipëria europiane! Nuk shkohet në BE me këtë model anadollakësh, që i ka vendosur kryeministri nëpër detyra për të bërë qoka miqsh, qoka njerëzish mediokër, që edhe e ekspozojnë. Rama është i kapur nga nomenklatura e qokave dhe nëse kryeministri nuk distancohet nga këta, do groposet prej tyre”.



