
Partia Demokratike do të mbledhë sot Këshillin Kombëtar, në orën 17:00.
Për “MCN Live” nga gazetari Mariglen Kume, sqaron se diskutimet e sotme do të kenë në fokus debatin e brendshëm në parti, organizimin e protestës së paralajmëruar më 22 dhjetor, si dhe një nismë për ndryshime në rregulloren e funksionimit të PD-së.
Sipas burimeve nga selia blu, mbledhja e Këshillit Kombëtar pritet të përqendrohet në situatën politike në vend, zhvillimet e fundit, vendimet e institucioneve të drejtësisë, rolin e opozitës përballë mazhorancës dhe strategjinë për aksionin protestues të radhës.
Një nga çështjet kryesore që do të diskutohet është organizimi i protestës kombëtare të 22 dhjetorit, e thirrur nga PD kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin opozita e akuzon për korrupsion qeveritar dhe për ngjarje kriminale të denoncuara më herët.
Po ashtu, në rendin e ditës do të jetë edhe një propozim për ndryshime në rregulloren e PD-së. Kjo nismë është depozituar nga anëtari i Këshillit Kombëtar Lisandër Hoxha, së bashku me 17 anëtarë të tjerë.
Sipas draftit të propozuar, kërkohet që të mos mbajnë më poste drejtuese dhe të shkarkohen nga funksionet zyrtare ata anëtarë të PD-së që kanë përfituar leje ndërtimi për kulla apo tendera të dyshimtë nga qeveria, pavarësisht se janë pjesë e opozitës.
Debati pritet të jetë i fortë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky propozim do të gjejë mbështetjen e nevojshme për t’u përfshirë në statutin dhe rregulloren e partisë.



