Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi të enjten, se futja në rendin e dites së seancës se sotme të kërkesës se PD-se, për mbajtjen e nje referendumi “për ligjin e mbetjeve”, do te shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve.
Kryetari i grupit te PS-se, Gramoz Ruci, gjate punimeve te seances se sotme te Kuvendit
Pas parashtrimit të kërkesës në fjalë nga kryetari i grupit demokrat, Edi Paloka, homologu i tij socialist, Gramoz Ruci, kundërshtoi përfshirjen e saj për votim në rendin e ditës së séances së sotme, duke vlerësuar se nuk ka asnjë arësye emergjente per kete dhe aq më pak kushtetuese apo proceduriale. Ruçi i kërkoi kreut të Kuvendit që të respektojë rregulloren e parlamentit për raste të tilla.
Ndërsa kryeparlamentari nga ana e tij tha se çështja do të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve.
Në argumentet e parashtruara kundër kësaj kërkese të opozitës, Ruçi tha se ligji i miratuar nuk flet për plehra.
“Ju flisni për plehra kur nuk ka kaluar asnjë ligj për plehrat, por për lëndë të parë për një industri të caktuar. Flisni për djegie e groposje plehrash, kur ligji që kaluam nuk lejon djegie e groposje, por vetëm riciklim. Ligji kufizon në mënyrë drastike pikat nga do te hyjnë mjetet dhe burimet njerëzore”, iu drejtua Ruci deputetëve të opozitës.
Ligji per importin e mbetjeve, shtoi ai, vetëm se e përmirëson mjedisin dhe nuk e shkatërron atë. “Ligji bën riciklim dhe e fuqizon industrinë e riciklimit. Ai është në shërbim të mjedisit. Ligji po ashtu nuk i lë të falimentojnë këto biznese, ndërsa mban në punë dhe nuk hedh në rrugë mbi 3500 persona”, theksoi kreu i grupit të PS-së.



