Një nga lagjet më të vjetra të Saukut, ku mbizotërojnë shtëpi private dhe pallate 5-katëshe të ndërtuara para viteve ‘90, po merr një pamje krejt të re me rrugë, trotuare, ndriçim dhe hapësira të gjelbra, në funksion të përmirësimit të jetesës së banorëve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Baraj inspektoi fillimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit në Rr. “Osma”, ku theksoi se puna do të vijojë me ritme të shpejta gjatë gjithë verës. “Kjo verë ka qenë e gjitha në punë për Bashkinë e Tiranës. Ky është një investim i cili po bëhet me forcat e bashkisë, një mënyrë për të treguar se kur bashkia menaxhohet në mënyrë nikoqire, megjithëse taksat i kemi modeste, megjithëse shpenzimet i kemi të larta, arrijmë të bëjmë gjëra që nuk janë bërë prej shumë vitesh. Ndaj mezi pres që t’i shkojmë kësaj pune deri në fund dhe deri në fund të verës, kur edhe banorët të jenë kthyer nga pushimet, të kemi mbaruar Rr. ‘Osma’”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky investim është tregues i vizionit të Bashkisë së Tiranës për të investuar edhe në nivel kapilar në çdo lagje, për përmirësimin e infrastrukturës.
Kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e banorëve për lirimin e hapësirave të cilat bëhen pengesë në realizimin e projekteve që kanë rëndësi për të gjithë komunitetin.



