
Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka komentuar videon e votimit elektronik në një qendër votimi të Elbasanit, më 14 maj, ku akuzohet një komisionere e PS-së, se ka asistuar votuesit duke i orientuar që votojnë për kandidatin e PS-së për bashkinë e Elbasanit. ‘Të shohim këtë të Elbasanit. Votat nuk i ka numëruar elektronika. Është shumë interesante se si Edi Rama vendosi Elbasanin dhe Kamzën për votim dhe numërim elektronik, sepse propozimi ynë ishte për Elbasanin dhe Durrësin si bashki të fuqishme. Rama insistoi për Elbasanin dhe Kamzën. Ajo pajisje nuk të lë të bësh një seri veprimesh të caktuara, është e verbër se kush e shtyp ekranin dhe nuk mund të bësh shkarravina. Duhet patjetër dikush që të sigurojë që vota shkon atje ku duhet. Aty ku i është thënë me sistemin e patronazhimit, ku është dhënë para, kërcënuar. Është e kundraligjshme nga ana penale ajo që ndodh në atë qendër votimi. Zgjedhësi pasi jep dokumentet e identifikimit, shkon te ekrani dhe voton vetëm. Operatori i sistemit, komisioner, ka asistuar shumë herë zgjedhësit, ndonëse ligji thotë se lejohet vetëm për ata që kanë kufizime fizike, pra i verbër ose nuk ka duar. Kjo ka ndodhur në Elbasan dhe Kamëz dhe votimi ka qenë i kontrolluar dhe vota nuk ishte as sekrete dhe as e lirë".



