
Po shtohet dita ditës numri i deputetëve të rinj opozitar të cilët i bashkohen rradhëve të reja të opozitës në Parlament. Kësisoj, në seancën e sotme plenare janë betuar tre deputetët e rinj në Kuvend. Korab Lita, Arlind Çarçani dhe Halil Jakini.
Deputeti Korab Lita ishte i 21-i në listën e deputetëve të PD për Tiranën dhe zëvendëson ish-deputetin Dashamir Shehi. Deputeti i dytë, Arlind Çarçani vjen nga radhët e PD. Ai ka qenë në listën e kandidatëve për deputet në Qarkun Korçë dhe deputeti i tretë që u betua sot në Kuvend është Halil Jakini, që vjen nga radhët e PD-së, qarku Dibër.
Po sot një tjetër kandidate e opozitës, ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, Bëhet fjalë për kandidatn e PD-së Fatjona Dhimitri, e cila kërkon marrjen e mandatit të deputetit. Dhimitri është kandidate e Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës.
Pasi KQZ t’i hapë “dritën jeshile” ajo do të betohet në parlament. Aktualisht numri i deputetëve në Kuvend ka shkuar në 103.
Ndëkohë, sot, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve miratoi tre akte nënligjore, që kanë të bëjnë më zgjedhjet lokale në vend: “Për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore”; “Për miratimin e formateve të standartizuara të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik, për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore; dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.
“Të tre aktet i shërbejnë objektitvit për rritjen e transparencës së fushatave, si të tilla ata marrin rëndësi të veçantë se përfaqësojnë një copë të mirë reforme. Ne jemi të bindur se zgjedhjet që vijnë synojnë përmirësim, sa i përket financimit dhe transparencës financiare”, ka shpjeguar kreu i KQZ-së Klement Zguri.



