
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke pretenduar se projekti prej më shumë se gjashtë javësh po mbahet i bllokuar nga grupe që, sipas tij, veprojnë jashtë ligjit dhe me tolerimin e Policisë së Shtetit.
Pacolli u bën thirrje organeve kompetente të ndërhyjnë menjëherë për rivendosjen e ligjshmërisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore. Duke iu drejtuar SPAK, Pacolli kërkon thellimin e hetimeve për të identifikuar dhe ndëshkuar, sipas tij, jo vetëm personat që ushtrojnë vetëgjyqësi, por edhe ata që i mbështesin apo i drejtojnë këto veprime.
Pacolli kërkon që enti kontraktual i koncesionit të lejojë kompaninë MABCO të përfundojë ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, në përputhje me kontratën e koncesionit, ligjin dhe vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë.
Sipas tij, MABCO ka investuar qindra milionë euro në këtë projekt strategjik dhe punimet janë pothuajse të përfunduara. Ai pretendon se aktualisht nevojiten vetëm pak ditë pune për të riparuar dëmet e shkaktuara nga aktet e vandalizmit dhe për të zëvendësuar pajisjet e dëmtuara gjatë periudhës së bllokimit.
Pacolli thekson se kompania disponon të gjitha kapacitetet financiare, teknike dhe logjistike për ta përfunduar menjëherë projektin, ndërsa shton se pengesa e vetme mbeten, sipas tij, grupet që ushtrojnë vetëgjyqësi dhe mbështetja institucionale që ato gëzojnë. Ai u bën thirrje institucioneve të zbatojnë vendimet e Gjykatës së Lartë dhe të mundësojnë përfundimin e Aeroportit të Vlorës.



