Kryeministri Edi Rama morri pjesë në një takim me përfitues të Paktit Kombëtar të Mirëqënies Sociale në qytetin e Vlorës, dhe deklaroi se reforma sociale e këtyre viteve të fundit ka rezultuar pozitive për shtresat në nevojë.
Kreu i qeverisë theksopi se reformat janë e vetmja mënyrë për të kuruar sëmundje të rënda kronike duke theksuar se qeveria do vazhdojë me reformat, por së pari duhet vettingu.
"Që është bërë shumë nuk diskutohet, që mbetet shumë për t’u bërë nuk diskutohet. Por nuk diskutohet që ka dhe shumë për të humbur nëse nuk vazhdohet me reformat. Janë e vetmja rrugë për të kuruar sëmundje të rënda kronike. Nuk jemi në kushtet kur mund të themi se sektorët janë ripërtërirë tërësisht dhe mund të fillojnë të gjenerojnë por jemi në kushtet kur mund të them nga njëra anë është ndalur hemorragjia, janë riaktivizuar funksionet vitale të shtetit. Tani duhet të vazhdojmë me këmbëngulje çdo hap për të rimëkëmbur organizmin e shtetit. Duhet të çlirojmë drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar dhe politikanëve të korruptuar. Është e rëndësishme për popullin shqiptar të nisë zbatimi i vettingut”, tha Rama.
Rama nuk ngurroi të akuzonte qeverinë e mëparshme, sipas të cilit “kushtet që trashëguan ishin larg të qenit të mira”. Ai tha se qeveria e mëparshme paratë për shtresat në nevojë, i bëri rrush e kumbulla për fushatë.
Kreu i qeverisë u shpreh se Vlora është për t’u marrë shembull për shkak të sistemit dhe shërbimit të institucionit dhe vetë punës së Inesit.
“Kemi raste të konsiderueshme ku kemi ndërhyrë për të ndihmuar njerëz mes vështirësive të mëdha. Nëse do të ishim nisur thjesht strikt nga ligji nuk do kishim mund të bënim gjë”, tha Rama.



