Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të martë në Berat, në vijim të takimeve për ligjin e ri për bashkëqeverisjen, prej ku ka ripërsëritur se nga janari i vitit të ri nuk do të ketë më sportele.
Rama u shpreh se qytetarët nuk do të rrinë të presin nëpër sportele apo të fusin dorën në xhep për të dhënë ryshfet, që të marrin shërbimet, pasi këto të fundit do t’i marrin përmes telefonit.
Dua t’ju bëj me dije se sot janë mbi 1 mijë shërbime që jepen online. Kemi një transformim rrënjësor të marrëdhënies së qytetarit me dokumentet e shtetit dhe një mundësi për çdo qytetar që t’i japë fund vetë të gjitha vështirësive dhe të mos ketë asnjë nevojë të fusë dorën në xhep për të paguar ryshfet për të lehtësuar rrugën e marrjes së një shërbimi.
Duke filluar nga janari ne do t’i mbyllim sportelet, nuk do të ketë më sportele. Pra, nuk do të shkohet më në sportele, që të mbahet radhë. Ne nuk kemi pse të vazhdojmë të kemi këtë problematikë kaq të madhe mes shtetit e qytetarit e të vazhdojmë të faturojmë një kosto kaq të madhe nervash, kohe, por edhe lekësh, te qytetarët, ndërkohë që shërbimet janë aty.
Ne do t’i mbyllim në mënyrë më graduale sportelet e Kadastrës. Na duhet të njoftojmë publikun se duhet t’i kthehet ekranit të telefonit dhe të harrojë sportelin. Nëse nuk merr përgjigjen, ka korsinë e ankimimit online. Me ligjin e ri të bashkëqeverisjes, shteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo ankimimi të qytetarëve.



