
Arben Ristani ka komentuar humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit. Ristani ka bërë përgjegjës kreun e demokratëve Lulzim Bashën për këtë humbje.
Në një shënim në rrjetet sociale, Ristani shkruan se humbja erdhi sepse Basha bëri gabime të njohura dhe të përsëritura. Gjithashtu ai shton se kur humb zgjedhjet duhet të tërhiqesh.
PD humbi në këto zgjedhje. Demokratet janë krenarë se kanë duruar me dinjitet një opozitë të vështirë 8-vjeçare. Kanë zhvilluar me vitalitet një betejë të fortë opozitare. Kjo humbje do të thotë edhe 4 vjet të tjera opozitë. Manipulimet zgjedhore të kundërshtarit do kenë me siguri pasoja ligjore, por beteja kundër tyre nuk e ndryshon faktin se tashmë, ka filluar një 4-vjeçar tjetër opozite. Është momenti dhe kemi nevojë për reflektim.
Më tej ai shton se Lulzim Basha që i udhëhoqi dy herë në humbje të pushtetit qendror dhe atij lokal, nuk ka asnjë shans që herën e tretë, të na udhëheqë në fitore.
Humbja erdhi sepse ai bëri gabime tashmë të njohura dhe të përsëritura, në mënyrën se si drejtoi opozitën dhe për me tepër, nuk i bindi shqiptarët, se ai do të ishte për ta kryeministri i duhur. Politika është moral. Mbi të gjitha te ky moral është bazuar edhe tradita e PD. Kur humb zgjedhjet në mënyrë të përsëritur, tërhiqesh me dinjitet dhe ndihmon partinë të rimëkëmbet. Kështu mendoj se duhet të ishte një sjellje me moral në një parti demokratike dinjitoze. Ndryshe vazhdon e mban dyqan për përfitime personale.



