Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur se Amnistia Fiskale, e propozuar nga qeveria shqiptare do ta shndërrojë Shqipërinë në lavatriçen më të madhe të parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Europë.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se ndërsa vendi është futur në spiralen e një krize që do t’a çojë vendin në një rënie ekonomike sa 9% e PBB-së, tregon se prioriteti i Edi Ramës nuk është shërbimi për qytetarët, por pasurimi i oligarkëve dhe pastrimi i parave të pista, siç ai ka bërë gjatë këtyre 7 viteve.
“Ligji në fjalë është ideuar jo për t’i shërbyen shqiptarëve që kanë emigruar dhe u duhet të deklarojnë pasurinë. Jo! Synimi parësor i ligjit është që të ndihmojë të inkriminuarit dhe organizatat kriminale që të pastrojnë pasuritë dhe paratë e tyre në mënyrë të paligjshme. Së dyti, ligji në fjalë është tentativa e radhës për ta shndërruar Shqipërinë në Panamanë e Europës dhe Ballkanit. Në nenin 5 pika 1 ligji evidenton se përfitues të këtij ligji janë edhe individë “rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre”, tha ajo.
Sipas asaj, nëse në Shqipëri është rezident një individ, i cili nuk deklaron pasurinë e tij në një shtet të BE-së apo SHBA-së, ky qytetar përfiton nga kjo amnisti dhe, gjithashtu, mund t’i shpëtojë hetimit të kësaj pasurie nga qeveria shqiptare.
Ish-deputetja demokrate mendon se kjo në fakt është një tentativë e radhës e qeverisë Rama, e cila disa muaj më parë iu drejtua Londrës në një konferencë për të shitur pasaportën shqiptare tek kushdo i ashtuquajtur “investitor” i huaj.
Ajo, tregon se këto dy grupe do të përfitojnë nga kjo amnisti totale, duke shpëtuar edhe nga hetimi për burimin e pasurisë.
Tabaku tha se draftligji parashikon jo vetëm ruajtjen e konfidencialitetit, por edhe mos hetim për ato individë të huaj apo vendas që do të përfitojë nga amnistia.
“Për të lehtësuar pastrimin e parave të pista, qeveria ka vendosur pagesën e një takse të ulët, që shkon 5% deri maksimalisht 10% e vlerës së deklaruar. Ndërkohë qeveria e Edi Ramës detyron qytetarët e vendit, përgjithësisht shtresën e mesme dhe biznesin e ndershëm të paguajë taksa deri në 23%. Nuk ka asnjë arsye financiare që një vend ku bankat kanë likuiditet të lartë, ku kreditë nuk po jepen jo si pasojë e mungesës së likuiditetit nga bankat, por si pasojë e krizës së besimit në ekonomi, shteti dhe qeveria të paraqesë një amnisti fiskale dhe penale”, tha ajo.
Sipas saj, ky ligj është i dëmshëm për ekonominë, është nxitës për paranë e krimit dhe të korrupsionit.
“Qeveria e ka lidhur amnistinë edhe me ligjin e kriptomonedhave, që konsiderohen si një tjetër rrezik i lartë për pastrimin e parave. Me një buxhet të lodhur, të vjedhur, të korruptuar, me dështim në çdo fushë te ekonominë, me informalitet të lartë si rezultatet i rritjes së taksave e favorizimit, duan të sjellin të ardhura që vetë i kanë vjedhur. Duan të zhdukin punën e ndershme të qindra mijëra shqiptarëve dhe të mbështesin dhe një herë ato dy kategori që kanë mbështetur në këto 7 vite, kriminelët dhe oligarkët”, tha ish-deputetja demokrate.
Tabaku theksoi se Edi Rama po e kthen Shqipërinë në Panamanë e Ballkanit.
“Vendi jonë do të shikohet si lavatriçja më e madhe e parave të pista në Ballkan dhe Europë. Do të kthehet në regjistrin kontabël të të inkriminuarve që do të hiqen si investitorë, të mafiozëve që do të hiqen si biznesmenë”, tha ajo.
Ish-deputetja demorkate shprehet se ky është vizioni për Shqipërinë 2030 që kryeministri në ikje ka për vendin, duke shtuar se kjo është një çmenduri që nuk duhet lejuar në asnjë moment dhe duhet luftuar pa asnjë kompromis.
“Një akt që bie në kundërshtim me çdo parim dhe me interesin kombëtar. Shqipëria ka nevojë të promovojë punën e ndershme, jo paratë e pista”, tha Tabaku.



