
Një agjenci arbëreshe për koordinimin e bashkëpunimit të komuniteteve arbëreshe dhe autoriteteve rajonale siciliane me qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës është propozimi që autoritetet lokale në Piana degli Albanesi, Sicili, u kanë bërë dy ministrave, Pandeli Majko dhe Dardan Gashi.
Gjatë një vizite që ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, dhe homologu i tij në Kosovë, Dardan Gashi, zhvilluan në këtë provincë, kryetari i Bashkisë, Ing. Rosario Petta zbuloi dy dokumentet e këtij programi, që autoritetet vendore kanë përgatitur për qeverinë e Shqiperisë dhe të Kosovës. Piana degli Albanesi, si komunë përfaqësuese e komunitetit arbëresh në Sicili,do të bëhet promotori i nxitjes së shkëmbimeve kulturore, arsimore dhe shkëmbimeve të tjera midis arbëreshëve, institucioneve rajonale e lokale dhe qeverive shqiptare e kosovare. Kjo do të ndihmonte jo vetëm zgjidhjen e problematikave të komuniteteve arbëreshe në institucionet rajonale në Itali, por edhe perfaqësimin e tyre në institucionet shqiptare e kosovare. Kjo do të ndihmonte edhe projektet e qeverisë së Shqipërisë për të mundësuar votimin dhe përfaqësimin e emigrantëve në vendet pritëse.
Gjatë takimit, ministri Dardan Gashi nënvizoi se në tetor Kosova dhe Shqipëria presin në Prishtinë kryetarët e komunave të arbëreshëve në Sicili për të nënshkruar një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Ndërsa ministri Majko theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Italinë dhe ndikimin pozitiv që kanë në këtë aspekt arbëreshët. “Shqipëria dhe Kosova janë duke iu afrur Bashkimit Europian dhe arbëreshët janë një përshpejtues i proceseve integruese. Por edhe arbëreshët kanë mbështetjen e vëllezërve të tyre binjakë, Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.



