
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, gjatë një takimi bilateral me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Ai konfirmoi gjithashtu se Belgjika do të hapë ambasadën e saj në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një sinjal të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Prévot theksoi se miratimi i IBAR përbën një arritje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Jam i kënaqur të mirëpres ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në Bruksel, një mik dhe ish-diplomat që e njeh shumë mirë këtë qytet nga vitet e tij si ambasador këtu. Dhe, për fat të keq, edhe shirat tipikë belgë!”, shkroi Prévot në një reagim publik.
Ai e cilësoi hapjen e ambasadës belge në Tiranë si një tregues të qartë të vlerësimit që Belgjika i kushton forcimit të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe mbështetjes së saj në procesin e integrimit europian.
“Patëm një takim plot lajme të mira. Belgjika do të hapë një ambasadë në Tiranë, një sinjal i qartë i rëndësisë që i kushtojmë marrëdhënies sonë. Dhe vetëm javën e kaluar, Shqipëria u bë vendi i dytë kandidat i BE-së që mori IBAR, duke hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe për të cilën e përgëzojmë ngrohtësisht Shqipërinë”, theksoi ai.
Ai nënvizoi se Belgjika inkurajon Shqipërinë të vijojë reformat me të njëjtën vendosmëri, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas Prévot, në takimin bilateral u diskutua edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në drejtësi, polici dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe mbi rolin konstruktiv të Shqipërisë për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.



