
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, thotë se bashkë me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, mund të mbahen edhe ato parlamentare. Gjatë një takimi në Skrapar, Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në protesta për të rrëzuar kryeministrin Rama.
“Nga Brukseli dëgjojmë një rrufe në qiell të hapur, dëgjojmë se si komisioneri Hahn shprehet se “Rama ka mbajtur peng reformat”. Kemi përballë një sfidë: Të Rrëzojmë Edi Ramën. Kudo që shkel, dëgjoj se edhe socialistë të ndershëm që janë të mërzitur me Rilindjen. Kur nuk ka socialist të ndershëm që suporton këtë njeri, tani duhet thënë se kushtet janë pjekur. Do të dalim në rrugë dhe do ta rrëzojmë Edi Ramën”, tha ajo.
Kryetarja e LSI-së tha se qytetarët duhet t’i japin politikës një mësim për premtimet e pambajtura.
“Duam t’i japim mësim politikës shqiptare që ai që jep premtime duhet ta mbajë ose në të kundërt meriton të tërhiqet zvarrë. Mos ndaloni duke kontaktuar vëllezërit, familjarët dhe miqtë tuaj. Nuk është nevoja të bëjmë rotacion politik, por duhet të organizohemi duke mos lejuar blerjen e varfërisë së familjeve shqiptare, sepse duke bërë këtë do të na blejnë edhe shpirtin”, shtoi Kryemadhi.



