Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, ish-deputeti dhe publicisti Bashkim Zeneli. Ai ka ndërruar jetë në një spital jashtë vendit.
Zeneli ka qenë gazetar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ambasador i vendit tonë në Gjermani dhe Greqi. Ai ishte gjithashtu një nga intelektualët e hershëm të Partisë Socialiste, duke kontribuar në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Gjatë karrierës së tij diplomatike, ai dha një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë. Përmes shkrimeve dhe kujtimeve të tij, Zeneli la gjithashtu dëshmi me vlerë për historinë e diplomacisë shqiptare.
Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Ilir Meta i akordoi Zenelit titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tij të veçantë dhe të spikatur në fushën e politikës së jashtme, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasador në vende të rëndësishme si dhe për përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryeparlamentari Niko Peleshi ka shkruar se Zeneli i kushtoi jetën shërbimit publik.
I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, diplomat dhe publicist, intelektual i radhëve të hershme në Partinë Socialiste, i cili i kushtoi një jetë të gjatë shërbimit publik. Me kontributin politik, veprimtarinë parlamentare dhe në detyrën e ambasadorit në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli dha një kontribut të çmuar për vendin dhe për forcimin e miqësisë me fqinjët dhe partnerët e Shqipërisë. Me shkrimet dhe kujtimet e tij, ai la gjithashtu një dëshmi të vyer për historinë e diplomacisë shqiptare. Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. U prehtë në paqe!



