
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të qëndrojë për një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku do ta takojë kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, ndërsa ky i fundit do të jetë për herë të parë nikoqir i një kryeministri të një vendi pas marrjes së qeverisë, në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Vizita është paralajmëruar në orën 10:00, ndërsa një orë më vonë do të mbahet takim bilateral, ku përveç kryeministrave do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e qeverive të të dyja vendeve.
Kryeministrat Mickoski dhe Kurti do të mbajnë një konferencë të përbashkët, sipas njoftimit të qeverisë maqedonase. Gjithashtu pritet që diskutimet të jenë mbi bazën e raporteve bilaterale, bashkëpunimit në rajon dhe projektet infrastrukturore për dy shtetet.
Kjo vizitë vjen pak ditë pas incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit, ku sipas Presidencës së Kosovës, kontrolli tentoi t’i kontrollojë telefonin personal presidentes Vjosa Osmani.
Kurti ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut.
Në një reagim të saj është theksuar se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës mbajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv dhe është paralajmëruar se pasi të mblidhen të gjitha informacionet, Ministria do të marrë masat e nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten.



