Kryeministri Edi Rama njoftoi në konferencën e fundvitit për mediat, se duke filluar nga janari, paga minimale do të jetë 500 euro, ndërsa ajo mesatare rreth 830 euro.
Paga mesatare ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë hyrjen në fuqi të ligjit për pagën 500 euro. Duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i pensioneve.
Me hyrjen e vitit të ri nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti. Duke filluar nga janari pensionet do rriten përtej indeksimit. Rritja që ne do të bëjmë do të jetë domethënëse vit pas viti.
Rama shtoi se pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj.
Në vijim shtoi se pensioni do të dyfishohet në janarin 2027, trefishohet në janarin e 2028, katërfishohet në janarin e 2029 dhe kështu me radhë.
Ndër të tjera tha se pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj, ndërsa pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj dhe pensioni i invalidit do të rritet me 600 lekë në muaj.
Kreu i qeverisë deklaroi se parashikohet rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve, sikurse dhe rritje e shpërblimit të tyre sipas punës.
Parashikohet që paga për ta sipas kategorive të rritet 135 euro në muaj. Gjithashtu edhe në shërbimin e trajtimit mjekësor dhe medikamente, pasi kanceri është bërë agresiv dhe po vret më shumë. Kemi dhënë 15 milionë euro më shumë për këtë kategori te Onkologjiku dhe po vijohet më tej për të rritur kapacitetet e shërbimit.



