Partia Demokratike ka përgatitur 23 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm kur të diskutohet nesër nen për nen në seancën parlamentare.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD në seli ai bëri të ditur se një prej amendamenteve është dhe propozimi për krijimin e një fondi rezervë të KESH në mënyrë që të dëmshpërblehen të përmbyturit.
Propozohet krijimi i fondit rezervë të KESH në mënyrë që dëmshpërblimi i të përmbyturve të mos jetë më çështje mundësie, por çështje detyrimi real ku KESH të detyrohet të mbajë një fond prej 15% për përmbytjet që krijon në zonat ku janë të vendosura digat. Përmbytja e fundit ishte një përmbytje kryekëput e diktuar nga vjedhja qeveritare. Ditët që mund të prodhonin energji, këta blinin energji me një çmim prej 230 euro megavati, në një kohë kur sot e shesin me 79 euro megavatin.
Më tej ai akuzoi kryeministrin Rama se ishte ai që i përmbyti qytetarët, hapja e portave ishte aq e fortë, sa sipas Berishës ngriti urën e Bahçallëkut nga themeli.
Akti i tyre është kriminal dhe i papërgjegjshëm, sepse ligji i detyron që në çdo vendim që marrin për hapjen e portave, duhet të njoftojë autoritetet vendore. Dhe autoritetet vendore marrin masa që të njoftojnë popullatën. Kjo nuk ka ndodhur. Kanë hapur dy tunelet e Komanit, portat e Komanit dhe të gjitha tunelet, portat e Vaut të Dejës. Kaq i madh, kaq i fuqishëm ka qenë vërshimi, saqë ka ngritur me themel urën e Bahçallëkut. Ka marrë bazamentin e ujit. Gjysma e urës është zhdukur. Rama bën gjithçka që të mos dëmshpërblejë, por ne do i çojmë përpara ligjit. Ndaj amendamenti është shumë i rëndësishëm, që të krijohet fondi rezervë. Se ligji e thotë që ai që përmbyt, ai të paguan.
Më tej ai theksoi se deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur në interpelancë Edi Ramën gjatë seancës së të enjtes.
Amendamentet e paraqitura përbëjnë një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për tu vjedhur në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre më të ulëtat në rajon dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta. Në buxhet, në amendamentet e përgatitura janë përparësuar pas rrogave dhe pensioneve ku kërkohet një rritje 25% e rrogave dhe pensionet rritje shumë e ndjeshme, janë përparësuar buxheti për arsimin i cili përsëri është diskriminuar. Është përparësuar buxheti për shëndetësinë. Janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që janë sot.



