Situata e krijuar me rritjen e rasteve të reja me Covid-19, sipas Partisë Demokratike, është alarmante. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ka publikuar një video në të cilën shfaqen qytetarë që presin në ambulanca për të marrë shërbimin spitalor.
“Edi Rama nuk i fshihet dot përgjegjësisë për situatën e rënduar shëndetësore me mashtrime dhe sulme të pavërteta politike. Ai ka detyrimin t’u japë shpjegime familjarëve të pacientëve, që presin në ambulanca për të marrë shërbim shëndetësor. Situata në të dy spitalet Covid 1 dhe 2 është e rënduar dhe në rënie të lirë. Qytetarët po mbahen me orë në ambulanca në pritje për të siguruar një shtrat në spitalet e tejmbushura. Askush nuk sqaron dot pse nuk është hapur ende spitali COVID 4, që sipas mashtrimit të Edi Ramës ka muaj që është gati”, shkruan Bardhi.
Bashkëngjitur, Bardhi ka postuar dëshminë e një qytetareje në Spitalin Infektiv, e cila është në pritje të dhënies së ndihmës së parë nga stafi mjekësor për bashkëshortin e saj, që ndodhet në ambulancë, pasi infektivi (COVID 1) nuk ka vende.



