
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri vazhdon takimet gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikësu.
Kreu i energjitikës u prit në një takim nga zv.Sekretari i Departamentit të Energjisë Dan Brouillette, ku gjatë bisedimit vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për sa i takon çështjevew që lidhen me politikat e sigurisë energjetike dhe korridoret e gazit.
Ministri Gjiknuri njohu zyrtarin amerikan me përpjekjet e qeverisë shqiptare në reformimin e sektorit të energjisë, liberalizimin e tregut dhe ndërlidhjen me vendet fqinje. Në këtë kuadër, e çmueshme sipas tij ka qenë dhe ndihma e USAID për hartimin e dokumentit të Strategjisë së Energjisë.
Gjiknuri dhe Brouillette u ndalën edhe tek sektori hidrokarbur, fusha e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe ecuria e projektit të Korridorit Jugor të Gazit pjesë e të cilit është dhe gazsjellësi TAP. Ministri Gjiknuri informoi Zv. Sekretarin amerikan për hapat në kuadër të hartimit të Masterplanit të gazit dhe më tej përspektiva për gazifikimin e vendit.
Gjiknuri theksoi se Shqipëria mirëpret investimet amerikane edhe në fushën e hidrokarbureve ndërsa ofron potenciale në këtë drejtim.
Zv.Sekretari Brouillette përgëzoi ministrin për rezultatet e arritura në kuadër të reformave në sektorin energjetik ndërsa shprehu gadishmërinë për të dhënë ekspertizë për ato çështje për të cilat qeveria shqiptare e shikon të nevojshme në sektorin e energjisë elektrike dhe fushën e hidrokarbureve.



