
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur sot vendimin e Kuvendit të Kosovës me rastin e miratimit të një rezolute për Kosovën.
Osmani përmes një shënimi në rrjete sociale tha se Kosova u rreshtua në anën e drejtë të historisë.
Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë.
Presidentja ka falënderuar deputetët që dënuar agresionin rus dhe iu hapën dyert refugjatëve nga Ukraina.
Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe më tej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina. “Kosova qëndron me Ukrainën, sepse Kosova qëndron në anën e lirisë.
Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar rezolutën e cila e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e federatës ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj.



