
Aleati tradicional i demokrateve, kryerepublikani Fatmir Mediu këmbëngul në ndryshimin e sistemit zgjedhor në favor të një sistemi me lista të hapura. Në asamblenë e Partisë Republikane, Mediu deklaroi se reforma elektorale duhet miratuar me konsensus dhe duhet të përfshije edhe ndryshimin e sistemit.
Por Mediu nuk ka kërkuar konsensus vetëm per reformën zgjedhore, ai ka vene theksin se vendi ka nevoje për një komitet kombëtar per integrimin. Kreu i Partisë Republikane në Asamblenë Kombëtare të PR propozoi të krijohet një Komitet Kombëtar për integrimin Europian dhe kërkon që ky komitet të bashkëkryesohet nga demokrati Besnik Mustafaj dhe socialistja Arta Dade.
Gjithashtu kreu i PR-së popozon "marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës dhe vendosje të një dispozite tranzitore deri në anëtarësimin në BE, për krijimin e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, sipas modelit maqedonas, jo si ndëshkim politik, por si një marrëveshje pozitive, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe për të kthyer qytetarët në kutitë e votimit, për të ushtruar të lirë të drejtën e tyre të votës".
Mediu u shpreh gjithashtu se nevojitet kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejt nga populli, krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve, si dhe rishikimi i Reformës Administrative, ishin edhe disa nga kërkesat e tjera të parashtruara nga kreu i PR.



