Kryedemokrati Lulzim Basha, shigjetoi ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja lidhur me amnistinë penale, se planifikoi lirimin e dhjetërave të burgosurve, të dënuar për korrupsion nga GJKKO.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, Basha deklaroi se sa më shumë SPAK ka sukses në goditjen e korrupsionit, aq më shumë nxjerrim nga sirtarët projektet për t’i vënë shkopinj nën rrota.
Ulsi Manja u tregon prokurorëve si të luftojnë korrupsionin, kur liron të arrestuarit për korrupsion.
Jemi para një komploti të planifikuar nga Rama por nuk mund të bëhet pa mbështetjen e aktorëve politikë, për të frenuar dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe për të ngushtuar fushën e veprimit të SPAK.
Amnistia penale, ishte atentat ndaj reformës në drejtësi. Ulsi Manja është kapur me presh në duar, duke gënjyer.
Ai nuk ka gënjyer nga halli, por planifikoi lirimin e deri në 100 të burgosurve, të dënuar për korrupsion nga GJKKO.
Manja bën hipokrizi te SPAK kur tha “luftoni korrupsionin”, por bëri pazare. Ata kërkojnë që t’u mbyllin gojën me kodin e heshtjes.
Është atentat ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi. Nuk është bërë me eksploziv dhe karikator, por me akt politik.



