
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli nëpërmjet një statusi në Facebook, i është përgjigjur kërkesës së dytë të anëtarëve të Këshillit Bashkiak për mbledhje jashtë radhe.
Këshilltarët kërkojnë mbledhje me Lelin në prani të Kryeministrit Rama, pasi sipas tyre, kryebashkiaku është përgjegjësi si pasojë e situatës alarmante të krijuar në qytetin bregdetar, me mirëmbajtjen e tij.
Në përgjigjen e tij kundrejt këshilltarëve, Leli thotë se nuk do të zhvillohet asnjë mbledhje në ambiente të mbyllura, por vetëm online.
“Ndjesë të gjithë lexuesve që e kanë humbur radhën e kërkesave të Këshillit Bashkiak për mbledhje jashtë radhe, por më duhet të sqaroj sërish se qëndrimi im për të zhvilluar mbledhje në ambiente të mbyllura, pavarësisht emrit, ngelet i njëjtë. Theksoj gjithashtu se nuk është bërë asnjë largim nga puna! Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, njësoj si disa kolegë të tjerë që kanë punuar në Bashkinë e Vlorës, gjatë këtyre ditëve, janë njoftuar se kanë plotësuar kushtet për të përfituar pensionin e pleqërisë”, shkruan Leli.




