
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi nga konferenca me gazetarët në Gjirokastra se kandidatura e PD për Bashkinë e Tiranës do të jetë e përbashkët me opozitën shqiptare.
Berisha specifikoi faktin se primarët do të jetë fakt dhe se kandidati do dalë nga primaret teksa shtoi se deputeti Enkelejd Alibeaj mund të marrë pjesë duke shpalosur propozimet e tij.
Në Tiranë do të kemi kandidaturë të përbashkët e cila do të dalë përmes primareve. Nga primaret nuk heqim dorë, kjo është kategorike.
Alibeaj të marrë pjesë dhe të bëjë propozimet e veta. Këtë herë nuk voton vetëm anëtarësia por edhe simpatizantët. Me Ilir Metën kemi rënë dakord që ai do të përqendrohet thuajse 100% tek këshillat.
Berisha u shpreh më tej se krahas vendosmërisë për të marrë pjesë në zgjedhje, ka një vendosmëri për të ecur drejt protestave të përgjithshme kombëtare.
Situata po bëhet katastrofike. Krahas vendosmërisë për të marrë pjesë në zgjedhje, ka një vendosmëri për të ecur drejt protestave të përgjithshme kombëtare, sa më shpejt të jetë e mundur.
I bëj thirrje shqiptarëve, arsimtarëve, mjekëve, infermierëve, bizneseve të vogla që po përjetojnë një tirani të vërtetë të çmimit të energjisë dhe taksave, që të ngrihemi kundër këtij dhunimi dhe t’i presim Edi Ramës, faturën që meriton.
Nëse marrim 100 vitet e fundit, ajo e Edi Ramës ka vjedhur më shumë se çdo qeveri, në 110 vitet e marra së bashku.
Kurrë nuk kanë ndodhur vjedhje siç kanë ndodhur me këtë qeveri.
Ndaj i ftoj shqiptarët të ngrihen në një protestë për ekzistencën dhe dinjitetin tonë.
Sali Berisha në këtë takim me gazetarë ka sulmuar sërish qeverinë pas sulmeve në sistemin TIMS.
Berisha tha se janë zhdukur gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë.
‘Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë më e pasigurt se këto ditë. Vetëm shkatërrimi i sistemit të TIMS dhe MEMEX. Qëllimi ishte te zhdukeshin gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët.
Të zhdukeshin gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë. Një polic që ishte një lloj pengese, u largua në mënyrën më mafioze nga detyra e tij. Shqiptarët nuk morën vesh asnjë argument se pse kryepolici i vendit u largua nga detyra, përveç lidhjeve të Çuçit me Ramën. Përveç rënies së tij në hekurin e nxehtë.
Ndaj dënoj me ashpërsi këtë akt. Dënoj qëndrimin, fshehjen që bën Edi Rama, Bledi Çuçi. Ka çuar tani një zëdhënës të vetin, se atë shefin e SHISH e dërgoi për shkollim, se paska qenë pa shkollë ky Helidoni, dhe çoi këshilltarin e tij që nuk është marrë kurrë me shërbimet inteligjente.
Pra, ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë. Siguria është më në rrezik se asnjëherë. Shkalla e papërgjegjëshmërisë së tij është më e madhe se çdo herë. Pas çdo firme që vendos është një vjedhje e re. Pas çdo ligji që sjell në parlament, ka një grup interesi.



