
Profesori universitar Bashkim Selmani i ka dalë në mbrojtje të hapur studentëve shqiptarë që protestojnë në Maqedoninë e Veriut për të drejtën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një intervistë për “MCN Live”, Selmani theksoi se studentët po arrijnë me protestat e tyre atë që profesorët dhe intelektualët nuk arritën ta bëjnë ndër vite në universitete.
Sipas tij, solidariteti i studentëve të Tiranës ka qenë historikisht një forcë që ka lëvizur shoqërinë shqiptare në periudha të ndryshme.
Është e arsyeshme dhe dua të falënderoj studentët e Universitetit të Tiranës, të cilët fatmirësisht po solidarizohen duke ngritur zërin për një kauzë që nuk i përket vetëm një grupi apo një gjenerate, por identitetit, dinjitetit dhe të drejtës sonë kolektive.
Solidariteti ka qenë gjithmonë forca që ka lëvizur historinë.
Studentët bashkohen, ata nuk mbrojnë vetëm një kërkesë, por ndërtojnë një ndërgjegje shoqërore.
Profesori falënderoi gjithashtu shtetin shqiptar dhe qytetarët e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sa herë shqiptarët në Maqedoni janë ndjerë në vështirësi, Tirana ua ka hapur dyert.
Kjo ka ndodhur në periudha të ndryshme historike dhe po ndodh edhe sot.
Tirana jo vetëm që ka qenë kryeqendra administrative e shqiptarëve, por shpesh ka qenë edhe dera e shpresës, solidaritetit dhe mbështetjes kombëtare
Mbaj mend periudhën time si student në vitin 1994 në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, kur ne si studentë shqiptarë protestonim për universitetin në gjuhën shqipe dhe se qytetarët e Tiranës na mbështetën me libra dhe materiale universitare.
Motoja jonë ishte ‘Dhuro një libër për Universitetin e Tetovës’ dhe familjet tiranase na ndihmuan me mbi 9 mijë libra dhe tekste universitare.
Selmani theksoi se dalja e studentëve në protestë sjell njëkohësisht krenari dhe reflektim.
Sot studentët kanë dalë në rrugë për dy arsye.
E para, sepse kanë guximin t’u thonë ‘ndal’ padrejtësive dhe devijimeve dhe e e dyta, sepse ne si pedagogë duhet të reflektojmë se ku kemi gabuar që studentët tanë detyrohen të protestojnë për të drejtat themelore.



