
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Presidencë propozimin e tyre se kur do të duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka konfirmuar se ka pranuar propozimin e LVV-së, mirëpo nuk bëri të ditur se cila është data e tyre e preferuar që vendi të shkon në zgjedhje.
Mësohet se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar datën 2 shkurt 2025, si datën më të mirë që qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit që kishte pasur me liderët e subjekteve politike kishte pohuar se janë brenda afatit të konsultimeve dhe se ligji parashikon katër data të mundshme për zgjedhjet: 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt, pasi zgjedhjet mbahen vetëm të dielave.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë deklaruar se përgatitjet intensive për zgjedhje do të nisin sapo të caktohet data.
Presidentja Vjosa Osmani të enjten ka thënë se të premten është dita e fundit kur partitë mund të shpalosin pikëpamjet e tyre për datën e zgjedhjeve, e se në fund do të jetë diskrecion i Presidencës që ta zgjedhë datën më të përshtatshme.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.



